Haradinaj: Politika shkurtpamëse e Qeverisë Kurti i krijoi terrenin Serbisë për veprimet kundër Kosovës
14 shtator 2024| 14:30
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar kërkesat që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka paraqitur dje në një konferencë për media ndaj Kosovës.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjës kryesor është presidenti serb.
Ai tutje ka thënë se kërkesat e tij, janë vec vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës.
“Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t’i braktisin zgjedhjet. Ai i ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës. Prandaj kërkesat e tij sot, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës.” – ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje ka thënë se terrenin për këto veprime anti-Kosoë të Serbisë e ka krijuae politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti.
“E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe. Me Serbinë ka veç një zgjidhje, njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.” – ka shkruar Haradinaj.