Haradinaj: Politikat e lidershipit aktual kanë pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në NATO
Udhëheqësit e NATO-s mblidhen sot (e martë) në Uashington. Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Lidhur me këtë samit, ka reaguar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se do të ishte i mrekullueshëm lajmi sikur Kosova të ishte në tavolinat ku do të diskutohej për anëtarësimin e saj në NATO.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se politikat e lidershipit aktual të Kosovës kanë pamundësuar një gjë të tillë.
“Por fatkeqësisht politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Pjesëmarrja e Kosovës në çfarëdo forumi që ndërlidhet me NATO-n, përfshirë edhe ftesën e presidentes që të jetë pjesë e aktivitetit për gratë, paqen dhe sigurinë, në kuadër të Samitit të NATO-s, është nder për vendin, për çka u jemi mirënjohës aleatëve! Udhëheqja e sotme e Kosovës apo cilado që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO. Ata që nuk e mbështesin këtë synim shtetëror të Kosovës, jo vetëm që janë shkurtpamës por nuk e dinë pse i mbajnë postet që i kanë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.