Haradinaj: Populli që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me jetë, e ka të ardhmen e sigurt
Në kuadër të manifestimit gjithëpopullor për shënimin e 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, sot u mbajt Akademi Përkujtimore, kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
Për të përkujtuar sakrificën, luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe qytetarë të tjerë.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Ramush Haradinaj, kujtoi luftën dhe heroizmin e komandantit Adem Jashari, duke theksuar se Familja Jashari janë sinonim i shqiptarëve, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.
“Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia evropiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet. Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët, na kanë mësuar këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!.”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar Adem Jashari. “Jemi sot në këtë Akademi Përkujtimore jo vetëm të Jasharëve, por të gjithë kombit shqiptarë, të gjithë atyre që ranë për liri”, tha ai, duke kujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit.
Për luftën e lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, foli edhe historiani Marenglen Verli.
Fjala e Kryeministrit në Akademinë përkujtimore:
Është diçka e mrekullueshme ta përjetosh, të shohësh brezin e ri, Ademin, Hamzën e ri, të shohësh Lulin e Bekimin, por me të qëndrua përballë baca Rifat. Zoti e ka thënë që kjo familje të jetojë, sepse është sinonim i shqiptarëve, e shqiptarët do të jetojnë gjithmonë.
Natyrshëm i madh e i vogël, shqiptarë kudo që jemi, sot jemi bashkë, jemi me një ndjenjë, ndjenjën e lirisë, por edhe me ndjenjën e dhimbjes së madhe të të gjithë njerëzve tanë më të mirë që i kishim që u flijuan për liri.
Ku ndodhi kthesa dhe kur e kuptuan se kush jemi dhe kush do të jemi, më nuk ka dilemë askush. Ndodhi në Prekaz, ndodhi në familjen Jashari, ndodhi te baca Shaban, te Ademi, te Hamza, te ata që i kujtojmë sot.
Me respekt do t’i kujtojmë gjithë jetën.
Të flasësh për Epopenë e UÇK-së, për marsin dhe Jasharët, natyrisht se është nder, por është edhe zotim, për përgjegjësi të shtuar se do ta mbrojmë lirinë e këtij vendi pa pyetur për çmimin, se do të jemi në shërbim të qytetarëve dhe se do ta bëjmë një Kosovë prosperuese.
Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia evropiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet.
Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët, na kanë mësuar këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!
Liria në shtetin modern nënkupton cilësi, mirëqenie, siguri dhe qetësi në jetë.
Ne lirinë tonë e përjetojmë dhe e ndjejmë në miqësi të përhershme me Amerikën, ne do t’ia dalim ta bëjmë një Kosovë çfarë e ëndërruan ata që u flijuan për të!
Këtë ua kemi borxh të rënëve për liri, këtë e bëjmë për brezat që vijnë.
Ne synojmë të jemi të barabartë me të gjithë, të anëtarësohemi në mekanizmat ndërkombëtarë, në OKB, në NATO, në Bashkimin Evropian, sepse jemi pjesë e pandashme e botës, sepse ishim dhe do të jemi gjithnjë pjesë e familjes së popujve të lirë dhe kjo falë të rënëve për liri, falë sakrificës së të gjithëve.
Sot edhe njëherë kthehemi aty ku e nisëm, në Prekazin legjendar, te familja legjendare e komandantin tonë legjendar Adem Jashari dhe u themi Lavdi e përjetshme!