Haradinaj poston video nga një librari në Pejë: Pa koment!
Edhe në fundjavë libraritë e Kosovës përplot prindër dhe nxënës duke blerë libra për shkollë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka postuar një video në “Facebook” nga një librari në Pejë, ku shihet e mbushur përplot prindër dhe nxënës që presin në radhë për t’u furnizuar me libra shkollor.
“Në një librari në Pejë. Pa koment!”, ka shkruar Haradinaj mbi video.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
Por, sivjet, me vendim të ministres Arbërie Nagavci, tekstet shkollore duhet të blihen nga vetë prindërit e nxënësve, me rimbursim.
Kjo ka bërë që shumë prindër të mos dinë as të përdorin platformën online E-Kosova, ku prindërit kanë mundur të aplikojnë për sigurimin e të hollave, e cila është hapur më 25 gusht.
Ministria e Arsimit ka ndarë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar.
Por ka pasur prindër që kanë publikuar faturat e blerjes së librave ku çmimi ka shkuar më shumë se që ka dhënë Ministria e Arsimit.