Haradinaj: Pragun e shtëpisë do ta kemi të sigurt vetëm me anëtarësim në NATO
Në Irzniq të Deçanit të martën është zbuluar shtatorja e dëshmorit Maxhun Çekaj, me ç’rast është vlerësuar lart veprimtaria e tij në arsim dhe luftën çlirimtare të Kosovës.
Zbulimi i shtatores që është organizuar nën përkujdesjen e kësaj komune, ka ndodhur në 21- vjetorin e çlirimit të Deçanit, ndërsa përveç familjarëve kanë marrë pjesë përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë të Maxhun Çekaj, qytetarë të Deçanit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Maxhun Çekaj do të mbahet gjithmonë në mend për kontributin në arsim dhe në luftë.
Ai ka thënë se Kosova do të jetë përjetësisht e mbrojtur vetëm me anëtarësim në NATO, teksa shtoi se një marrëveshje me Serbinë do t’i hapë rrugë vendit, raporton “Kosovapress”.
“Kosova duhet të ketë vetëbesim e të ecën përpara për një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë që t’i hapet perspektiva Kosovës, jo veç për marrjen e njohjeve të pesë vendeve të BE-së, e ku njohja nga këto vende do të ishte drejtësi dhe po ashtu mundësi të cilën e synojmë anëtarësimin në NATO… Mirëpo ne pragun e Kosovës do ta kemi të mbrojtur përjetësisht ditën kur anëtarësohemi në NATO. Deri në atë ditë pragu ynë i shtëpisë mund të rrezikohet dhe ne duhet të bëjmë kujdes deri në anëtarësim në NATO”, është shprehur Haradinaj.