Haradinaj: Pranimi në FIFA dhe UEFA lidhet ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit
Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK- së, Ramush Haradinaj, e ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës për katërvjetorin e anëtarësimit në FIFA dhe UEFA, duke ia kushtuar një kujtim të veçantë ish-presidentit të Federatës, Fadil Vokrrit.
Kongresi i FIFA-s i respektoi rekomandimet e Këshillit të FIFA-s dhe e konfirmoi pranimin e Kosovës si anëtaren e 210-të në organin qeverisës të futbollit botëror. Kosova u pranua me 141 vota pro dhe 23 kundër.
Pas pranimit në FIFA, Kombëtarja e Kosovës nisi të zhvillojë ndeshje zyrtare me karakter garues, siç ishin ato për kualifikim në Kupën e Botës Rusia 2018.
Rol kyç për ta bindur Kongresin e FIFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më pas. Pikërisht Vokrrin e ka kujtuar në këtë përvjetor ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Futbolli kosovar shënoi dy momentet më kulmore katër vjet më parë, me anëtarësimin në UEFA dhe pranimin në FIFA, në fillim të muajit maj”, shkroi Haradinaj në postimin e tij në “Facebook”.
“Të dy datat lidhen ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit, ikonës së futbollit kosovar dhe udhëheqësit politik për ndërkombëtarizimin e Kosovës në futboll”.
“E gjithë përpjekja e tij u shndërrua në betejë të palëkundur, duke e bërë realitet ëndrrën tonë për anëtarësim në dy organizatat më të mëdha të futbollit në botë. Urime Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë futbollistëve kosovarë, 4-vjetori i anëtarësimit në FIFA. Fitoret e juaja, krenaria jonë!”.