Haradinaj pranon kërkesën e LDK-së, thotë se bëri lëvizje politike
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë konferencës së jashtëzakonshme ka thënë se ka bërë lëvizje politike, pas arritjes së dakordimit mes partive politike, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Kam bërë një lëvizje poltike, në këtë rast kam bërë një dakordim me një kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo ka qenë kërkesa e LDK-së, si të tillë e kemi pranuar në mënyrë që të ecim përpara edhe pse mua s’më ka pëlqyer”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se ende nuk është arritur konsensus me Listën Serbe.
Ndërkaq, liderët e partive politike sot pasdite kanë arritur konsensus që ta ratifikojnë Demarkacionin në Kuvend, pasi është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave.
Ndryshe, seanca për demarkacionin pritet të mbahet të mërkurën, ndërsa të gjitha partitë përveç VV-së dhe Listës Serbe kanë konfirmuar votën pro kësaj marrëveshjeje.