Haradinaj premton: 500 euro pensione për personat me nevoja të veçanta
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar pensione prej 500 euro për personat me nevoja të veçanta.
“Guximi dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të personave me nevoja të veçanta në përballjen me sfidat e përditshme janë një dëshmi e pathyeshme e forcës së shpirtit njerëzor. Në çdo hap të tyre, në çdo arritje dhe buzëqeshje, ata tregojnë histori frymëzuese që na mësojnë për rëndësinë e vendosmërisë dhe durimit.Ëndrrat dhe aspiratat e tyre duhet të kenë të njëjtin respekt dhe mbështetje si ato të kujtdo tjetër. Kjo është një detyrë morale dhe shoqërore që nuk mund dhe nuk duhet ta neglizhojmë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Më tutje, Haradinaj ka bërë me dije se programi i partisë së tij, parasheh masa konkrete për punësim dhe pensione prej 500 euro për personat me nevoja të veçanta.
“Në asnjë rrethanë, nuk guxojmë ta turpërojmë vendin tonë duke mos u ofruar statusin dhe mbështetjen që meritojnë. Programi ynë parasheh masa konkrete për punësim dhe pensione të dinjitetshme prej 500 euro për personat me nevoja të veçanta. Kjo është garancia jonë për një qasje të drejtë dhe për mbrojtjen e dinjitetit të tyre, duke treguar se si shoqëri vlerësojmë dhe mbështesim secilin individ”, ka shkruar Haradinaj.