Haradinaj premton angazhim për mbështetje institucionale të rajonit të Zhupës
Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i qëndroj pranë secilës komunë dhe secilit rajon, pa dallime partiake dhe etnie. Ne do të angazhohemi që kërkesat dhe nevojat e banorëve të kësaj ane të adresohen dhe të gjejnë mbështetje institucionale. Ky ishte mesazhi i Kryeministrit Ramush Haradinaj, gjatë një vizite pune që pati sot në rajonin e Zhupës.
Aty, Kryeministri u prit nga përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen banorët atje.
Haradinaj, duke folur për kërkesën e krijimit të Komunës së Reçanit, tha se Qeveria do të angazhohet për ta shqyrtuar këtë çështje, derisa, për kërkesën e rindërtimit të një hidrocentrali, ai e bëri të qartë se ky projekt por edhe projektet e tjera mund të realizohen vetëm me pëlqimin e banorëve.
“Jemi shumë të interesuar për zhvillimin e sektorit të turizmit në këtë pjesë, sepse për një gjë të tillë ekziston potencial i jashtëzakonshëm. Personalisht, jam për themelimin e komunave, e pse jo edhe për atë që ju kërkoni. Sa i përket çështjes së ndërtimit të hidrocentraleve, mund të them se për këtë do të angazhohemi me seriozitetin më të lartë të mundshëm për ta shqyrtuar hollësisht, dhe se nuk do të lejojmë asnjë investim të dëmshëm për komunitetin”, shtoi Haradinaj.
I shoqëruar edhe nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, Kryeministri Haradinaj tha se me ardhjen e tij në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal ka kaluar në një fazë më dinamike dhe tani komunat kanë një vëmendje më të madhe nga Qeveria.
Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, falënderoi kryeministrin Haradinaj për praninë e tij në këtë ngjarje, derisa tha se komuniteti boshnjak po përballet me disa sfida në këtë pjesë të vendit.