Haradinaj premton nga 500 euro për çdo fëmijë të lindur
Rënia e natalitetit është bërë problem i madh i shoqërive moderne. Shumë kombe rënien e lindshmërisë e shohin si një prej rreziqeve më të mëdha ekzistenciale në plan afatgjatë.
Edhe Kosova, viteve të fundit ka parë një rënie të theksuar të natalitetit.
E sidomos, kjo rënie bëhet edhe më e dukshme me ikjen e të rinjve drejt Evropës e botës për të gjetur një perspektivë më të mirë për jetën e tyre. Megjithatë, bota po gjen format dhe po krijon politika sociale dhe ekonomike për ta luftuar këtë dukuri.
Është e nevojshme që kjo dukuri të luftohet me mjete institucionale, duke i inkurajuar çiftet e reja që të lindin më shumë fëmijë. Kjo nuk arrihet vetëm me këshilla, por duhen edhe veprime konkrete, duke u marrë me arsyet që e shkaktojnë këtë rënie në natalitet.
Për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kandidati për kryetar të kryeqytetit, Daut Haradinaj, e ka futur në programin qeverisës edhe trajtimin e këtij problemi. Sipas analizave, në Prishtinë janë rreth 3,000 lindje në vit. Haradinaj planifikon që për çdo fëmijë të lindur nga Prishtina, ta subvencionojë familjen me 500 euro të holla.
Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për prindërit dhe familjet prishtinase, por edhe motivim për çiftet që e shtyjnë shtatzëninë për shkak të mjeteve financiare, sepse përveç faktorit “Lifestyle”, impakt të madh në rënien e natalitet ka edhe faktori ekonomik familjar.
Sipas përllogaritjeve, kjo masë Komunës së Prishtinës do t’i kushtonte rreth 160 mijë euro, duke e bërë lehtë të realizueshme sipas parametrave buxhetorë që ka kryeqyteti.
Daut Haradinaj, me programin e tij qeverisës, planifikon që ta ndihmojë familjen dhe zhvillimin e saj të shëndoshë. Kjo është një prej arsyeve pse ai po merr mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe grupet e interesit në kryeqytet.
Për çdo ditë e më shumë figura e tij po fuqizohet dhe po perceptohet si kryetar i ardhshëm i Prishtinës, i cili do të marr vendime të guximshme dhe do ta nis reformën e madhe në kryeqytet.