Haradinaj premton pagë mesatare një mijë euro dhe strategji për “fushatat linçuese të Kurtit e ushtrisë së tij të internetit”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka premtuar se nën qeverisjen e koalicionit AAK – Nisma – Konservatorët dhe E-30, paga mesatare në Kosovë do të jetë një mijë euro, ndërsa nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.
Në një konferencë të përbashkët të këtij koalicioni, Haradinaj ka thënë se zgjedhjet e shpallura më 9 shkurt 2025 janë “një mundësi e jashtëzakonshme që të kthehemi në normalitet”.
Ai ka shtuar se ky koalicion tashmë e ka draftin e saj të programit qeverisës e madje edhe një strategji për “fushatat linçuese të Albin Kurtit dhe ushtrisë së tij të internetit”.
Më tutje, Haradinaj ka theksuar se populli i Kosovës nuk është analfabet, ashtu siç, sipas tij, e ka cilësuar qeveria Kurti e se “është popull mirënjohës ndaj Amerikës dhe se nuk lejon asnjë qeveri të lëndojë raportet tona me aleatet dhe rrugën tonë euroatlantike”.
“Zgjedhjet e shpallura me 9 shkurt 2025, janë një mundësi e jashtëzakonshme që të kthehemi në normalitet. Sidoqoftë, më 9 shkurt 2025, populli i Kosovës do të dijë të dëshmojë se nuk është popull analfabet, ashtu siç e ka cilësuar kjo qeveri. Populli nuk mashtrohet, nuk harron e nuk gabon, është popull mirënjohës ndaj Amerikës dhe se nuk lejon asnjë qeveri të lëndojë raportet tona me aleatet dhe rrugën tonë euro-atlantike, se nuk e lejon askënd ta kthejë prapa e ta stagnojë zhvillimin e vendit, se nuk e lejon askënd, që të krijojë kriza artificiale, me qëllimin e vetëm mbetjen në pushtet pavarësisht çmimit”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se me partnerët e kolaiiconit janë bërë bashkë për ta ndalur të keqen në Kosovë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me partneret e saj në koalicion, Nisma, Konservatoret, Intelektualët, janë bërë bashkë të përballen me ata që kanë shkelë mbi çdo vlerë, kanë fyer, kanë nënçmuar e kanë shpifur, kanë tradhtuar besimin e qytetarit, kanë tradhtuar të varfrit, e kanë tradhtuar edhe diasporën”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se ky mandat do të jetë i fundit për kryeministrin Albin Kurti.
“Për ta kthyer besimin qytetarëve besimin, që në ditët e para të qeverisjes sonë nuk do të ketë pagë mesatare nën një mijë euro dhe nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro. Me siguri Kurti e ka mision që në fund të mandatit t’i rrisë pagat. Ne e kemi nisur punën për zgjedhjet e 9 shkurtit. Përgatitjet kanë nisur. Tani kemi draftin e parë të planit tonë qeverisës. Kemi strategji edhe si të përballemi me fushatat linçuese të Kurtit dhe ushtrinë e tij të internetit”, ka thënë Haradinaj.