Haradinaj premton përkrahje për komunitetin egjiptian në Kosovë
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim përfaqësues të komunitetit egjiptian, të kryesuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, si dhe përfaqësues nga shteti Egjiptian, të kryesuar nga Zahi Hawass, ish-ministër i Shtetit për çështje të antikiteteve, ambasador i OKB-së për trashëgimi globale.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj përgëzoi komunitetit egjiptian në Kosovë për ditën e tyre dhe tha se Kosova respekton diversitetin kulturor, etnik, fetar, dhe këtë e konsideron pasuri të vetën të veçantë.
Haradinaj ka thënë se ky komunitet ka qenë i përkushtuar që nga paslufta për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe pjesë e të gjitha proceseve shtetndërtuese.
“Këto janë dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme se sa e drejtë dhe sa e justifikueshme është baza e vlerës multietnike, e cila po ndërtohet në Kosovë”, është shprehur kryeministri Haradinaj, duke falënderuar për kontributin e tyre në luftën çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë komunitetin egjiptian në Kosovë, nevojat kulturore të këtij komuniteti, ato arsimore, identitare, por para së gjithash do të bëjë përpjekje maksimale që të punojë në zhvillimin ekonomik dhe të sigurojë që përmes zhvillimit ekonomik të ketë sa më shumë të punësuar nga radhët e komunitetit egjiptian.
/Epoka e re/