Haradinaj premton realizimin e kërkesave të SBAShK-ut
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBAShK-ut, për të gjetur një zgjidhje lidhur me kërkesat e tyre.
Paralajmërimi i këtij takimi ka ardhur si rezultat i fillimisht të grevës së mësimdhënësve në orën e parë të mësimit në të dyja ndërrimet.
Haradinaj ka premtuar se bashkë me përfaqësuesit e SBAShK-ut do të punojë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, si dhe përmbushjen e obligimeve shtetërore.
“Në këtë frymë të përkushtimit, njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka po ashtu një rëndësi të veçantë. Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Statusi i plotë i Ramush Haradinajt:
Duke marrë parasysh sakrificën e të gjitha segmenteve të shoqërisë sonë, Qeveria e Kosovës ishte dhe mbetet e përkushtuar që t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë.
Tashmë një pjesë e këtyre kategorive kanë mbështetjen e plotë ligjore.
Në këtë frymë të përkushtimit, njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka po ashtu një rëndësi të veçantë.
Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë.
Gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBAShK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojmë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, por edhe në përmbushjen e obligimeve tona si shtet.