Haradinaj premton rritje pagash prej 50 për qind në sektorin e arsimit dhe digjitalizim të procesit mësimor

05 dhjetor 2024 | 13:08

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar të enjten një bashkëbisedim me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë (A.U.K).

Haradinaj gjatë këtij bashkëbisedimi ka ndarë planet e AAK-së për, siç ka thënë transformimin e arsimit të lartë në Kosovë.

“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me studentët e RIT (A.U.K); një gjeneratë e jashtëzakonshme e të rinjve tanë që po përgatiten për të ardhmen. Ndava me ta vizionin tonë për transformimin e arsimit të lartë në Kosovë. Nuk ka më kohë për premtime – duhet veprim i menjëhershëm dhe reforma rrënjësore”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai më pas ka renditur planet e tij për “transformimin e arsimit të lartë”.

“Çka do të bëjmë? Rritje të buxhetit për arsimin në 6% të GDP-së. 50% rritje page për të gjithë punëtorët e arsimit. Implementim të modelit gjerman të arsimit dual. Investime të mëdha në fushat STEM. Trajtim të barabartë për universitetet publike dhe private. Digjitalizim të plotë të procesit mësimor”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se studentët e RIT e kanë bindur “edhe një herë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm”.

“Studentët e RIT më bindën edhe një herë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Por ky talent kërkon përkrahje institucionale dhe kushte të duhura. Me planin tonë, do të ndërtojmë një sistem arsimor që përgatit të rinjtë për tregun e punës dhe që i mban ata në Kosovë. Bashkë do ta bëjmë Kosovën fituese – një qendër rajonale të dijes dhe inovacionit”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendërmbrojtësi i Bayer Leverkusen, Jonathan Tah do të jetë pjesë…