Haradinaj premton: UÇK-ja do ta ketë shtëpinë e vet në çdo komunë të Kosovës
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur sot (e diel) luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në prag të Ditës së Veteranëve.
Jo vetëm që ua ka uruar këtë ditë, Haradinaj po ashtu u ka premtuar veteranëve se në çdo komunë të Kosovës, UÇK-ja do ta ketë një shtëpi të saj.
“Ajo thënia ‘ka djem Kosova’, unë besoj që ka djem Kosova, ka me pasë, ka me ardhë dita që statusi i kategorive të lirisë ka me u rregullu një herë e përgjithmonë si i ka hije, as nuk po përmendi shifra, as fjalë të tjera, por po ju them që do të rregullohet se i takon më shumë se sa shumë të tjerë që mendojnë, pra të drejtat do t’i gëzojmë me ligj. Shoqatat do të jenë të mbështetura me buxhet, jo veç në vend nacional, shoqatat e dala nga lufta, por edhe komunal, dhe UÇK do ta ketë shtëpinë e vet në çdo komunë të Kosovës”.
“Ne po ashtu qëndrojmë afër, ndjejmë, dhe nga zemra ju uroj kolegë veteranë, gëzuar Ditën e Veteranit. Kemi të drejtë ta festojmë këtë ditë sepse sikurse e dini, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerësuar, ende vazhdon ai vlerësim me mbet, si guerila më e suksesshme e shekullit që kemi lënë pas, si një ushtri çlirimtare që arriti me e fitu lirinë, por arriti po ashtu të krijojë shtetin, pavarësinë, dhe kuptohet me e bë popullin e vet si të lirë, pjesë të familjeve të kombeve”, ka deklaruar Haradinaj.
Më tutje, ai ka kujtuar të rënët për lirinë e Kosovës, duke thënë se ata kujtohen me nderin dhe respektin më të madh.
“Nesër është Dita e Veteranit, ashtu siç është vendosur të kujtohet si një e tillë, e kuptohet ne veteranët, që kam nderin të jem një prej tyre, çdoherë kujdesin, respektin, nderimin e fillojmë me të rënët për liri, me dëshmorët, edhe është në nderin tonë t’i kujtojmë me respektin më të lartë, me ndjenjat më të mira familjen Jashari, komandantin legjendar Adem Jashari, të madh e të vogël të asaj familje, e të madh e të vogël të çdo familje shqiptare, edhe martirë që kanë dhënë jetën për liri. Njëkohësisht të bashkëndjejmë, të jemi afër, të jemi me ta me invalidë të luftës të cilët plagët e luftës i bartin me sfidat e jetës., e që nuk janë sfida të pakta”, ka thënë Haradinaj.