Haradinaj: Pres nga Kiana dhe Albini t’i bashkohen Majlindës, Norës e Distrias në podiumin e të artëve
Ekipi olimpik i Kosovës ka parakaluar të premten në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekin 2022” të cilat do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt. Flamurin e Kosovës e mbajti i vetëm skitari Albin Tahiri, pasi skitarja Kiana Kryeziu mungoi për shkak se trajneri Agim Pupovci ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19.
Pas parakalimit në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpikë Dimërore në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për defilimin e sotëm të sportistëve tanë në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’. Kosova jonë po valëvitë flamurin e saj nëpër qendrat më të mëdha botërore për vite me radhë falë përkushtimit dhe sukseseve të sportistëve tanë. U uroj Kianës dhe Albinit që të korrin suksese dhe t’i bashkohen Majlindës, Norës e Distrias në podiumin e të artëve”, ka shkruar Haradinaj.
/Veton ZYMBERI/