
Haradinaj: Pres që opozita t’a krijon Qeverinë, Kurti është agjent i Serbisë!
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Gazetën Blic tha se pret që opozita ta krijojë qeverinë e re, nëse Vetëvendosje dështon në formimin e shumicës. Ai theksoi se kjo është e drejtë kushtetuese dhe nuk duhet të ketë vonesa nga ana e VV-së.
“Ata e kanë të drejtën kushtetuese, VV-ja, munden me përshpejtu krijimin e Parlamentit, munden me apliku të drejtën e tyre për të kriju shumicën. Nëse e krijojnë – me vazhdu me punë, nëse jo – vjen radha e të tjerëve… Edhe ajo është kushtetuese, është pjesë e demokracisë tonë. Unë pres që opozita t’a krijon Qeverinë, po pa vonesa dhe i bëj thirrje atyre që po pengojnë, po vonojnë… mos të vonojnë më shumë, me këtë rast Kurtit dhe klikës së tij”, tha Haradinaj.
Duke kritikuar qëndrimin e VV-së se “ose qeveri me ne, ose zgjedhje”, Haradinaj tha se Kushtetuta ua jep të drejtën edhe të tjerëve për të krijuar institucione. Ai shtoi se AAK nuk frikësohet nga zgjedhjet, por ekziston edhe një rrugë tjetër ligjore për formimin e qeverisë.
“Gradualisht po shkojnë duke i shfaq dobësitë e veta. P.sh. dikur na thonin se do t’i kenë 500 mijë vota, edhe aplikonin një qasje përjashtuese, fyese, edhe arrogante. Ditën e zgjedhjeve u vërtetu që kanë 10 deputetë më pak sesa zgjedhjet paraprake. Pastaj menduan se janë aq të plotfuqishëm sa që të gjithë do të vrapojnë pas tyre, e rezultoi se ka plot që s’janë të interesuar me qeveris me VV-në… Kur kërcënojnë se ‘nëse nuk qeverisni me ne, ju qojmë në zgjedhje’, kjo nuk e frikëson AAK-në.”
Ai shtoi se ekziston alternativë kushtetuese për të formuar qeverinë:
“Pse me e qu vendin në zgjedhje? Sikur vendi mos të kishte alternativë kushtetuese dhe ligjore, në rregull, por ekziston alternativa kushtetuese. Kur s’mundet ta bëjë i pari, ekziston mundësia ta bëjë i dyti. Këtu është ajo që VV nuk po e respekton as Kushtetutën e vendit. Ata s’munden me u bë vetë Kushtetuta dhe me u ngrit mbi ligjet e vendit.”
Për deklaratën e Kurtit se Serbia po shantazhon deputetët e minoriteteve, Haradinaj tha se kjo është shenjë dobësie dhe se “Kurti është agjent i Serbisë dhe Rusisë”, pasi sipas tij ka zbatuar agjendat e këtyre shteteve dhe ka lejuar rritjen e ndikimit serb në Kosovë gjatë qeverisjes së tij.
“Kjo është shenjë e dobësisë së Kurtit dhe të Qeverisë së tij. Realisht Kurti është agjent i Serbisë dhe i Rusisë sepse ka zbatu agjendën ruse dhe serbe. Ai na ka rrit fuqinë e Serbisë deri në këtë masë në Kosovë. Kurti ka qeveris katër vjet të plota, me mandat të plotë, i pavarur nga asnjë parti tjetër shqiptare, dhe pas katër viteve rezulton se qenka rrit fuqia e Serbisë mbi deputetët jo-serbë. Unë nuk besoj se ata janë nën ndikimin e Serbisë. Unë besoj fuqishëm se ata deputetë që nuk e pëlqejnë qeverisjen Kurti, ka ndikim Serbia tek ato, mund të kemi ne shqiptarët.”