Haradinaj: Presidenca bullgare e BE-së e ka dinamizuar rrugën evropiane të Kosovës
Në margjina të konferencës për sigurinë globale në Tiranë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me homologun nga Bullgaria, Boyko Borissov, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë, për të qenë palë e barabartë në të gjitha nismat dhe forumet e Bashkimit Evropian (BE) me Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimin bilateral me Bullgarinë, si dy vende mike”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kryeministrin bullgar për proceset në Kosovë, duke vlerësuar lartë mbështetjen e Bullgarisë për rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me theks në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
“Që nga marrja e kryesimit të Presidencës së BE-së, Bullgaria ka luajtur rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor me këtë organizatë dhe për këtë ne do t’i jemi gjithmonë falënderues shtetit bullgar dhe kryeministrit Borissov”, ka deklaruar Haradinaj.
Duke kërkuar ndihmën e mëtejme të Bullgarisë, Haradinaj, ka thënë se Kosova ka nevojë të ketë një mik siç është Bullgaria në procesin e liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE dhe në NATO, por edhe në synimin për t’u anëtarësuar në Interpol dhe Europol.
Ndërsa, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka thënë se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e synimeve të saj për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike.
/Epoka e re/