Haradinaj: Presidentja Osmani i kërkoi Bidenit që Kosova ta propozojë draft-statutin e Asociacionit, Kurti e pengoi
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ka njohuri që Presidentja Vjosa Osmani, i ka kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, që Kosova ta propozojë vetë një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një intervistë për “Kanal10”, ku ka pretenduar se kryeministri Albin Kurti e ka penguar në këtë drejtim, derisa theksoi se kreu i ekzekutivit ia ka sjellë vendit një draft-statut të dëmshëm, atë të cilin “pesëshja e madhe” ia kishte çuar Kurtit në zyrë, në tetor të vitit të kaluar, i cili ishte pranuar fillimisht në parim nga kryeministri.
“Unë e di që presidentja është munduar ta ndihmoj Kosovën me një draft për Asociacionin, pra unë e di këtë situatë. Presidentja kur ka qenë në Uashington ka fol me sekretarin [Antony] Blinken por edhe presidentin Biden, edhe e ka kërku të drejtën që na me propozu e jo me na pru, si na kanë pru BE-ja këtë draftin e keq, që nuk ka me të keq, që na ka pru Albini realisht”, tha Haradinaj.
Pra, Haradinaj theksoi se “presidenca ka hyrë, por Kurti e ka penguar”. “E në fund e ka përkrah me letër këtë draftin e keq”, shtoi.
Ish-kryeministri, duke folur për prishjen e raporteve në mes të Kurtit dhe Osmanit, që u bën publike nga kjo e fundit ditë më parë, kërkoi nga e para e vendit që t’ia sqarojë opinionit publik se në çka nuk është pajtuar me kryeministrin.
“Që presidentja për mos me mbet kontribuuese e të këqijave që i ka bë Kurti, ajo duhet t’i tregojë ato të këqija në të cilat nuk ka pajtu me të gjatë rrugës, po në etapa të caktuara nuk e ka shpallë një luftë frontale, tash po. Ajo duhet t’i tregojë popullit se në çka nuk është pajtu me të”, potencoi.
Mirë është, insiston kreu i AAK-së, me ia sqaru popullit këto. “Nuk është marre me ia sqaru popullit”.
Më 21 tetor të vitit të kaluar, një delegacion amerikano-evropianë, i quajtur ndryshe si “pesëshja e madhe”, kishte ardhur në Prishtinë, ku ia kishte prezantuar kryeministrit Kurti draftin evropian për Asociacionin.
Fillimisht, ky draft ishte pranuar në parim nga kryeministri Kurti, por që të njëjtin më vonë kishte refuzuar që ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese, siç kërkohej nga ndërkombëtarët në mënyrë që Kosova të anëtarësohej në Këshillin e Evropës.
Madje, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse e kishin pranuar në parim, më vonë e quanin edhe si “non-paper”.
Njohësit e çështjeve kushtetuese, por edhe një pjesë e opozitës, kishin thënë se drafti evropian për Asociacionin është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, madje u jep autonomi të zgjeruar serbëve të Kosovës.