Haradinaj pret në takim 120 studentë nga Vjena dhe Venediku
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim 120 studentë nga Vjena dhe Venediku, programi i studimeve “Europian Master in Human Rights and Democratisation”, me të cilët ka zhvilluar bashkëbisedim, duke i njoftuar ata për bashkëjetesën ndëretnike, arsimin, proceset politike të vendit, demokratizimin dhe të drejtat e njeriut, dhe ku Kosova si vend me diversitet kulturor, etnik dhe fetar, është shtëpi e përbashkët e të gjithëve, ku respektohen të drejtat e secilit.
Haradinaj duke iu uruar një mirëseardhje në Kosovë, para studentëve nga Vjena dhe Venediku, ka theksuar se kanë rastin të mësojnë shumë për Kosovën.
Kryeministri Haradinaj iu tregoi studentëve rreth punës së tij si kryeministër, por edhe si një familjar, duke thënë se ka një vizion për Kosovën, vendin me një popullatë të re.
“Sot, rritja ekonomike për Kosovën është më e madhja në regjion, luftën me korrupsionin nuk e kemi fituar ende, mirëpo kemi bërë progres”, është shprehur kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria që udhëheqë ai, është Qeveri që implementon dhe kanë punuar me të gjithë, partitë politike, etnitete të ndryshme.
Kryeministri ka informuar studentët se Kosova është multietnike dhe qëllimi i saj është integrimi euroatlantik, sepse i përket familjes evropiane dhe është në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“NATO-ja, e udhëhequr nga Amerika dhe aleatët tjerë, në vitin 1999, kanë ndihmuar Kosovën që të ndalet tragjedia mbi të”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka pasur karakter humanitar.
Haradinaj iu është përgjigjur interesimit të studentëve për shumë çështje të Kosovës, si zhvillimi ekonomik, marrëdhëniet e Kosovës me shtetet tjera, me theks të veçantë marrëdhëniet me Serbinë, perspektiva e të rinjve, legjislacioni, dhe shumë tema tjera.
/Epoka e re/