Haradinaj pret në takim Kosnettin: Jemi të vendosur për partneritet afatgjatë me ShBA-në
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, me të cilin kanë diskutuar për tema të rëndësishme të vendit, me theks të veçantë zhvillimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë.
“Kosova tashmë ka krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore fiskale, Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane dhe veprime të tjera konkrete në favor të prodhuesve vendor, të cilat janë bazë e fortë për zhvillim ekonomik. Për më shumë, partneriteti jonë në fushën e sigurisë është i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Qeveria e vendit është e vendosur për partneritet afatgjatë me ShBA-në dhe në këtë frymë do të angazhohemi pandalur”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/