Haradinaj pret në takim një delegacion të Partive Popullore Evropiane
“Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha obligimet e saja për t’u përafruar me agjendën evropiane dhe rruga e saj e vetme është integrimi euroatlantik”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj pasi priti në takim Delegacionin e Partive Popullore Evropiane, kryesuar nga Andrey Kovatchev, Asim Ademov dhe Elmar Brok.
Kryeministri Haradinaj ka njoftuar përfaqësuesit e Parlamentit Evropian për të arriturat e vendit në fuqizimin e sundimit të ligjit, nismën për reformën në administratën publike, në avancimin e raporteve për një fqinjësi të mirë, nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë dhe progresin e arritur në fushën ekonomike të vendit.
“Anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është vital për stabilitetin, sigurinë dhe progresin e vendit dhe të tërë rajonit. Mbështetja e partive popullore për Kosovën në Parlamentin Evropian është i rëndësisë së veçantë që rrugëtimi ynë të rezultoi me sukses”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet t’i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane të cilës i takojmë dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Kryeministri Haradinaj ka konfirmuar para delegacionit të Partive Popullore Evropiane që Kosova po përmbushë agjendën e saj evropiane dhe ka kërkuar nga ta mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave.
Përfaqësuesit e Partive Popullore të Parlamentit Evropian përgëzuan kryeministrin e Kosovës për të arriturat e vendit në këto vite të ekzistencës si shtet dhe ofruan mbështetjen e tyre në proceset e integrimit të vendit.
/Epoka e re/