
Haradinaj pret në zyrë të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA: Folëm për zgjedhjet, zhvillimet në Kosovë dhe rajon
Zyrtarja e lartë e Ambasadës së ShBA-së, Anu Prattipati, e cila është edhe e ngarkuar me punën e ambasadores, ka qëndruar për vizitë në selinë e AAK-së ku është takuar me kreun e kësaj partie, Ramush Haradinajn.
Haradinaj ka thënë se në këtë takim kanë folur për atë se si ka shkuar procesi zgjedhor, për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon si dhe për forcimin e raportit Kosovë-ShBA.
“Theksova qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Veçanërisht, rëndësinë e anëtarësimit direkt në NATO përmes Planit Aksional, si rruga më e sigurt për arritjen e objektivave tona strategjike për sigurinë dhe prosperitetin e vendit”.
“Shpreha mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që ShBA i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ky partneritet i fuqishëm përbën garancinë më të mirë për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”,ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.