Haradinaj pret zyrtarin gjerman, Helbach, flasin për proceset në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim drejtorin për Ballkan në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Helbach, me të cilin ka biseduar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, progresin e bërë në shtetndërtimin e vendit, si dhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për takimin me kancelaren Merkel, kërkesa e Kosovës për mbështetjen e Gjermanisë në liberalizimin e vizave, procesi i dialogimit me Serbinë, nevoja për kornizimin e këtij dialogu dhe fuqizimi i partneritetit politik me Gjermaninë.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar Gjermaninë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në aspektin ushtarak, ekonomik, politik dhe perspektivën evropiane e euroatlantike.
Ai ka theksuar se Gjermania mbetet një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
/Epoka e re/