Haradinaj prezanton aderimin më të ri në parti
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti.
AAK-së i është bashkuar Mumin Morina.
“Z. Morina është nga Gjilani dhe sjell me vete një pasuri të jashtëzakonshme eksperience në fushën e inxhinierisë hidroteknike. Me më shumë se 25 vjet përvojë në projektimin, zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve të infrastrukturës hidroteknike, ai përfaqëson pikërisht atë lloj ekspertize që Kosova ka nevojë për të përparuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka theksuar se arsimimi dhe përvoja e Morinës, e bëjnë atë një aset të çmuar për AAK-në.
“Përvoja e tij profesionale, veçanërisht si Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe si Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan, dëshmon aftësitë e tij të jashtëzakonshme menaxheriale dhe teknike. Shto kësaj edhe standardet e tij të larta etike në vendimmarrje dhe njohuritë e thella mbi përputhshmërinë ligjore dhe ambientale”, ka shkruar Haradinaj.
“Me anëtarësimin e z. Morina në AAK, ne forcojmë edhe më shumë kapacitetet tona për të adresuar sfidat infrastrukturore të Kosovës. Kjo, nisur nga gatishmëria që vet ai e shprehu në takimin tonë sot. Në emër të AAK-së, i uroj mirëseardhjen z. Mumin Morina dhe pres me padurim kontributin e tij të çmuar në partinë tonë dhe në zhvillimin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.