Haradinaj prezanton kandidatët për deputetë nga Kaçaniku
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, pa prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Kaçaniku.
Haradinaj ka thënë se papërgjegjësia e qeverisë aktuale po e mban peng zhvillimin e Kaçanikut dhe gjithë Kosovës.
“Qeverisja aktuale ka dështuar në mënyrë të turpshme në realizimin e projekteve elementare për Kaçanikun. Stadiumi i filluar para 6 vjetësh qëndron si dëshmitar i paaftësisë së tyre, ndërsa ujërat e zeza vazhdojnë të jenë kërcënim për shëndetin e qytetarëve. Kjo papërgjegjshmëri në qeverisje po e mban peng zhvillimin e një qyteti historik që meriton shumë më tepër”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka prezantuar kandidaten për deputete nga Kaçaniku, Hafize Sallahu.
“Ne e dëshmuam se si realizohen projektet madhore – Autostrada “Arben Xhaferi” është shembull konkret i vizionit dhe veprimit tonë. Bashkë me kandidaten tonë për Kuvend, Hafize Sallahun, dhe ekipin e profesionistëve të Kosovës Fituese, jemi të gatshëm të sjellim transformimin që Kaçaniku ka nevojë. Impianti i ujërave të zeza dhe përfundimi i stadiumit do të jenë prioritete të menjëhershme”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, është kthesa e madhe për sigurinë dhe ekonominë e vendit.
“Antarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, është kthesa e madhe për sigurinë dhe ekonominë e vendit. “Pakoja për Mirëqenien e Familjes” do të prekë çdo shtëpi në Kaçanik. Me rritjen e pensioneve në 500€, trefishimin e mbështetjes për bujqësinë, modernizim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore, do të krijojmë bazën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien që i duhet vendit”, ka thënë ai.
Sipas Haradinajt, me 9 shkurt, ndryshimi vjen me Kosovën fituese.
“Koha për improvizime ka mbaruar – është momenti për veprim të vendosur dhe qeverisje të përgjegjshme që zgjidh problemet reale të qytetarëve. Më 9 shkurt, ndryshimi vjen me Kosovën Fituese”, ka përfunduar Haradinaj.