Haradinaj pritet në takim nga kryeministrja e Britanisë së Madhe
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur në një takim zyrtar nga kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar kryeministren May për mbështetjen historike dhënë Kosovës në periudhat më të rëndësishme të rrugës së shtetndërtimit.
“Që nga koha e luftës në vitin 1999 kur Britania e Madhe ka qenë e vendosur në përkrahje të të drejtës së Kosovës, është po ajo përkrahje, po ajo gatishmëri. Kam kërkuar vëmendjen e Londrës zyrtare, të kryeministres për çështjet e mbetura të hapura për Kosovën. E kemi përkrahjen e parezervë”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, kryeministri Haradinaj, ka thënë se në takimin me kryeministren May, është biseduar edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Britanisë së Madhe, të drejtën e Kosovës në planin ndërkombëtar, por edhe për çështjen e bisedimeve me Serbinë.
Ndërsa kryeministrja Theresa May, ka thënë se Britania e Madhe do të vazhdojë mbështetjen për vendet e Ballkanit në proceset integruese dhe në krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe të sigurisë.
Në pritjen e kryeministres May për kryeministrin Haradinaj, të pranishëm ishin edhe Boris Johnson, sekretar i Jashtëm Britanik, Alan Duncan, ministër për Evropë dhe Amerikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Matt Hancock, sekretar i Shtetit për Çështje Digjitale, Kulturë Medie dhe Sport dhe Amber Rudd, sekretare e Shtetit për Punë të Brendshme.
Takimi është realizuar në kuadër të pritjes që kryeministrja May u ka bërë gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në Londër po qëndrojnë në kuadër të Samitit të WB6 organizuar nga BERZH dhe ku kryeministri Haradinaj ka prezantuar mbi 30 projekte potenciale për investim që kapin vlerën e rreth 600 milionë eurove.