Haradinaj priti në takim gjeneralin e KFOR-it, Lorenzo D’Addario
“Roli i KFOR-it vazhdon të jetë i nevojshëm në Kosovë dhe ne jemi të përkushtuar si Qeveri që të bashkëpunojmë ngushtë, në të mirë të sigurisë në vend”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti sot në takim njohës komandantin e KFOR-it, Lorenzo D’Addario.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, duke uruar komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Lorenzo D’Addario, siguroi atë se do ta ketë gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të punuar së bashku, duke e bërë Kosovën dhe rajonin një mjedis të qetë dhe të sigurt.
“Ne jemi të hapur që partneritetin tonë ta avancojmë dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën dhe do të vazhdojmë angazhimin korrekt si Qeveri për marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme me KFOR-in”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj dhe gjenerali D’Addario kanë bashkëbiseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
Kryeministri Haradinaj, e ka vlerësuar lart rolin e ushtarëve të KFOR-it, për angazhimin e tyre në Kosovë, ndër vite duke i falënderuar ata për kontributin e tyre në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
Nga ana e tij, komandanti i ri i KFOR-it Lorenzo D’Addario, e ka falënderuar kryeministri Haradinaj për pritjen e sotme duke shtuar se do të japë kontributin e tij në sigurimin e paqes në vend.
“Jemi këtu që të kontribuojmë për sigurinë e qëndrueshme. Jam mirënjohës për gatishmërinë që keni treguar si Kryeministër i vendit dhe jam i hapur për bashkëpunim, për qëllimin e përbashkët, sigurinë dhe paqen në vend”, ka thënë D’Addario.
/Epoka e re/