Haradinaj priti në takim lamtumirës komandantin e karabinierëve italianë
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim lamtumirës, komandantin e Njësisë së Specializuar Multinacionale (MSU) në kuadër të KFOR-it, kolonel Paolo Pelosi, të cilin e ka falënderuar për punën dhe kontributin e tij të deritanishëm në Kosovë, në forcimin e sigurisë, të rendit dhe ligjit në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se Njësia e karabinierëve italianë ka bërë punë të shkëlqyer në Kosovë dhe në bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës, kanë ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Roli juaj dhe i karabinierëve për ruajtën e qetësisë, rendit dhe krijimin e një klime të sigurisë është i një rëndësie të veçantë dhe për këtë u jemi mirënjohës”, ka thënë Haradinaj, duke vlerësuar se Italia ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të veçantë edhe përmes trupave paqeruajtëse që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
Ndërsa komandanti i Njësisë së Specializuar Multinacionale (MSU), kolonel Paolo Pelosi, pasi ka shprehur falënderimin për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, ka thënë se kjo njësi do të vazhdojë angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
/Epoka e re/