Haradinaj priti në takim përfaqësuesit e organizatës Kosovo Hope
“Diplomacia më e mirë për Kosovën është shkëmbimi i studentëve përmes programeve të profilizuara. Kjo që po e bënë Hope Kosova është për t’u çmuar dhe Qeveria e Kosovës do të shoh mundësitë për t’i ndihmuar nisma të tilla”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj pasi priti në takim përfaqësuesit e organizatës “Kosovo Hope” Berat dhe Valdete Gegaj dhe disa nxënës të përzgjedhur për udhëtimin në Amerikë në programin e kësaj organizate.
Kryeministri Haradinaj nga përfaqësuesit e kësaj organizate është njoftuar për punën dhe aktivitetet e saj e cila në fokus ka shkëmbimin e kulturave, njohurive dhe ideve, ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçmas ndihma dhënë institucioneve shëndetësore, përmes sjelljes së mjekëve amerikan për shërbim në Kosovë dhe ndihma arsimore përmes programeve të këmbimit.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim që rinia e Kosovës të ketë një të ardhme më të mirë.
“Programet e shkëmbimit dhe iniciativat e tilla janë të mirëseardhura dhe do ta kenë mbështetjen time dhe të Qeverisë të cilën unë e udhëheq”, the kryeministri Haradinaj duke i përgëzuar për punën e tyre.
Më tej kryeministri Haradinaj tha se shkëmbimet e përvojave ndërmjet studentëve, mjekëve, oficerëve dhe shumë profileve tjera ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë një mundësi e mirë për avancimin e gjithanshëm të gjeneratave të reja.
Përfaqësuesit e organizatës “Kosovo Hope” Berat dhe Valdete Gegaj, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe kërkuan mbështetjen e tij dhe të Qeverisë në misionin e organizatës së tyre për ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet popujve dhe komuniteteve të ndryshme.