Haradinaj priti në takim përshëndetës ambasadorin e Francës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në një takim përshëndetës ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Haradinaj, falënderoi ambasadorin Chabert për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, duke theksuar se në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm.
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, në takim ka përmendur rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e Francës në këtë proces.
“Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet evropiane fitojnë më shumë mundësi. Kosova i plotëson kushtet dhe Franca është partneri kryesor drejt përgjigjes finale për lëvizje të lirë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se rruga euro-atlantike e vendit do të bëhet përkrah me aleatët tanë dhe Franca është aleate e vendit tonë.
Ambasadori Chabert, falënderoi Kryeministrin në detyrë për pritjen dhe bashkëpunimin e deritashëm dhe partneritetin e treguar në gjithë etapat e marrëdhënieve bilaterale Kosovë- Francë.
/Epoka e re/