Haradinaj: Procesi i liberalizimit të vizave do të përmbyllet suksesshëm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas vendimit pozitiv të Komitetit LIBE për liberalizimin e vizave, ka thënë se Kosova ka bërë punë të madhe që ky proces të përmbyllet suksesshëm.
“Pas plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim, hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses. Parlamenti Evropian, respektivisht Komiteti LIBE për të Drejta Civile, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme, aprovoi sot mandatin për hapjen e negociatave me Komisionin Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit, andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Haradinaj ka falënderuar raportuesen e Kosovës për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon dhe eurodeputetët që kanë votuar pro liberalizimit të vizave.
“Mirënjohës për angazhimin e madh dhe të vazhdueshëm të eurodeputetes dhe raportueses për liberalizim të vizave në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, dhe të gjithë eurodeputetëve tjerë që votuan pro lëvizjes së lirë për kosovarët”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/