Haradinaj: Projektet nga ‘Rotary International’, të rëndësishme për vendin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të “Rotary International”, të udhëhequr nga Stephanie Urchick, drejtoreshë e Bordit të Drejtorëve.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka falënderuar delegacionin për përkrahjen që “Rotary International” ka ofruar për Kosovën, në fusha të ndryshme, veçmas ndihma e dhënë në projekte që kanë përmirësuar shërbimet shëndetësore në vend.
Haradinaj ka vlerësuar rëndësinë që kanë për Kosovën projektet e “Rotary International”, si ato në shëndetësi, në aspektet sociale si dhe në përkrahjen e ofruar për fushat tjera me rëndësi për vendin tonë dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur punën humane të kësaj organizate.
Ndërsa, Stephanie Urchick, drejtoreshë e Bordit të Drejtorëve të “Rotary International” e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe mbështetjen e ofruar si dhe e ka informuar për aktivitetet e Rotary në tërë botën.
Ajo ka theksuar vendosmërinë për vazhdimin e bashkëfinancimit të projekteve të ndryshme në Kosovë.
/Epoka e re/