Haradinaj, Putinit: Prania ruse në Ballkan nënkupton destabilitet
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur presidentit rus, Vladimir Putin, i cili për mediat serbe ka thënë se SHBA-ja është faktor destabilizues në Ballkan.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se sa më shumë përfshirje të SHBA-së në Ballkan nënkupton paqe, stabilitet dhe zhvillim, ndërsa një prezencë ruse nënkupton të kundërtën.
“Deklarimeve të Presidentit të Rusisë, Vladmir Putin, dhënë për një media serbe, se politikat e ShBA-së dhe aleatëve përendimor janë faktorë destablizues në Ballkan, iu përgjigjem se më shumë Amerikë dhe NATO në Ballkan nënkupton më shumë paqe, stabilitet dhe zhvillim. Një prezencë ruse aktive në Ballkan nënkupton të kundërten e saj. Kosova vjen në paqe”, ka shkruar Haradinaj.