Haradinaj: Qasja e të rinjve në tregun e punës kërkon zgjidhje

11 prill 2018 | 12:12

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka lansuar Strategjinë Sektoriale 2018-2022 dhe planin e veprimit për punësimin e të rinjve.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se qasja e të rinjve në tregun e punës është një prej vështirësive të cilën Kosova duhet zgjidhur.

“Një ndër detyrat më të vështira të Kosovës, është kyçja e të rinjve në tregun e punës, kyçja e kategorive të margjinalizuara. Nuk do të jetë proces i lehtë, por unë si kryeministër e ndjejë se e kam këtë detyrë dhe kuptoj se sado e vështirë që është duhet të fillojmë së bashku me partnerët tanë të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Haradinaj.

Ai është shprehur i kënaqur me fillimin e zbatimit konkret të strategjisë së paraparë për punësimin e të rinjve, duke identifikuar veprimet dhe duke i kalkuluar ato.

Ndërkohë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se këto dy dokumente janë pjesë e spektrit të dokumenteve strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe pjesë e Agjendës Evropiane, që si bosht orientimi kanë zhvillimin e vendit, punësimin dhe aftësimin profesional dhe ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve në përgjithësi.

“Ne tashmë e dimë, se papunësia është një nga problemet e mëdha të vendit tonë dhe për këtë në Strategjinë Sektoriale të MPMS dhe Planit të Punësimit të të rinjve, punësimit i është kushtuar një vëmendje e posaçme, posaçërisht punësimit të të rinjve dhe grupeve të cenueshme”, ka theksuar Reçica.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë në ditët e sotme kanë krijuar rutinën e…