Haradinaj: Qershori i lirisë, motivim që të punojmë sa më shumë për shtetin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot të rënët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Burim Mustafaj, Shpend Malaj, Jeton Dedushaj dhe Enver Dobraj.
Ai tha se ata ishin luftëtarët më të zot që ka njohur gjatë përpjekjeve për liri.
“Ata ishin luftëtarët më të zot që njoha gjatë përpjekjeve tona për liri e çlirim! Nga Burimi që priu kreshnikët e pamposhtur në qindra aksione e beteja dhe Shpendi që theu kufirin me dhjetëra herë për të sjellur armët e lirisë, u ndamë para njëzetedy viteve. Kujtuam sot po ashtu, rënien heroike të Jeton Dedushaj, sypatremburit nga Malësia e Madhe dhe Enver Dobraj nga Carrabregu, me pushkën e të cilit u shënuan shumë aksione e beteja të UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai me rastin e përvjetorit të të rënëve më 5, 6 dhe 7 qershor të vitit 1999, ka vizituar edhe familjet e heronjve Malaj e Mustafaj, e gjithashtu ka kujtuar edhe bashkëluftëtarin Zeqir Nimonaj që u nda nga jeta dy vjet më parë.
“Vdekja i ndoqi pas në çdo hap, por ata gjetën përjetësinë, në vigjilje të çlirimit të vendit dhe fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kujtuam me mall, bashkëluftëtarin tonë, Zeqir Nimonaj, njeri i dashur dhe shpirtmadh, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta. Shumë kujtime, shumë dhembje e edhe më shumë krenari, në Qershorin e Lirisë, motivim që të punojmë sa më shumë për Atdheun dhe Shtetin. E lavdia e përjetshme ju takon Dëshmorëve!”, ka shkruar Haradinaj.