Haradinaj: Qeveria do të duhej ta ndërtonte një ‘shtab krize’ për parandalimin e largimit të të rinjve
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur të hënën një tryezë diskutimi lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.
Me këtë rast, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të krijojë mirëqenie për një të ardhme të sigurt për rininë.
“Rinia e Kosovës ka potencial, vizion, energji, vullnet dhe krahas kësaj shteti duhet t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që të krijojë mirëqenie për një të ardhme të sigurt në vendin e tyre. Në tryezën e 8-të të diskutimit adresuam çështjen e migrimit të të rinjve. Për AAK-në, perspektiva e të rinjve në Kosovë është një ndër brengat kryesore që sot i ka vendi ynë. Largimi i të rinjve është një problem serioz që shteti do të duhej ta trajtojë me urgjencë. Sot kur Kosova gjendet në prag të një të drejtë të mohuar padrejtësisht, atë të liberalizimit të vizave, largimi i të rinjve bëhet edhe më shqetësues”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se qeveria do të duhej të ndërtonte një “shtab krize” për parandalimin e largimit të të rinjve.