Haradinaj: Qeveria do të rritë partneritetin privat
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, me të cilët ka biseduar për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e partneritetit ndërmjet institucioneve, odave dhe sektorit privat në përgjithësi.
Kryeministri Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që të jetë përkrah prodhuesve vendorë, duke theksuar përkushtimin që edhe më tutje të vazhdojë punën në reformat e përgjithshme në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, fuqizimit të sektorit privat dhe krijimit të një klime të favorshme për biznese.
Gjatë takimit, është diskutuar edhe për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se kjo është përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ndaj subjektivitetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës i kanë shpalosur para Kryeministrit Haradinaj një listë të kërkesave të tyre karshi Qeverisë së vendit, për të cilat Kryeministri Haradinaj u zotua që do të angazhohet në adresimin e tyre.
Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës po ashtu falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkrahjen që po i jep zhvillimit të sektorit privat dhe prodhuesve vendorë përmes lehtësirave tatimore, duke shprehur përkrahjen për taksën 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, e cila sipas tyre do t’i fuqizojë bizneset dhe prodhuesit vendorë.
/Epoka e re/