Haradinaj: Qeveria e re e ka të tejkaluar presionin taksë

21 nëntor 2019 | 13:35

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, u është përgjigjur zërave që po kërkojnë heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e ve në “Facebook”, ka shkruar se Kosova sot në njëvjetorin e vënies së taksës 100 për qind ka fituar shumë, pasi sipas tij, ka fituar prodhuesi, blerësi ynë dhe ka fituar flamuri ynë.

“Është për të ardhur keq që sot, shpirtrat e shitur dhe argatët e Serbisë së madhe, në qarqe të ndryshme, duke folur gjuhën tonë, të shqiptarit, i japin të drejtë vetës dhe tentojnë të influencojnë opinionin, duke kalkuluar interesa të tjera, që assesi nuk janë të Kosovës dhe përveç tjerash janë në dëm të saj, duke prodhuar lajme, si formë presioni për ta hequr taksën, për ta dobësuar Kosovën dhe për ta rrezikuar integritetin e saj”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Qeveria e re, kushdo që e drejton atë, e ka të tejkaluar presionin taksë. “…sepse atë për një vit e kemi bartur ne, duke i thënë jo, çdo skenari të dëmshëm për dobësim. Efekti “taksë” ka dhënë frytet e saja edhe në forcimin politik të vendit, siç ka dhënë efekt përplasja dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i ndarjes së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Si në luftë ashtu dhe në paqe, Kosova, territori i saj dhe e drejta për zhvillim, janë kauza që nuk kanë pasur çmim dhe kanë tejkaluar çdo kalkulim personal dhe politik.

Është për të ardhur keq që sot, shpirtrat e shitur dhe argatët e Serbisë së madhe, në qarqe të ndryshme, duke folur gjuhën tonë, të shqiptarit, i japin të drejtë vetës dhe tentojnë të influencojnë opinionin, duke kalkuluar interesa të tjera, që assesi nuk janë të Kosovës dhe përveç tjerash janë në dëm të saj, duke prodhuar lajme, si formë presioni për ta hequr taksën, për ta dobësuar Kosovën dhe për ta rrezikuar integritetin e saj.

Këto “analiza” dhe “opinione”, kanë një qëllim të vetëm, rikthimin e dominimit politik dhe ekonomik të Serbisë mbi Kosovën.

Ky vërshim titujsh dhe komentesh se taksa nuk ka prodhuar efekt të rritjes së prodhimit dhe të zhvillimit ekonomik, është po aq i rrezikshëm sa edhe vizatimet e hartës së Ballkanit nga tavolinat anti-shqiptare dhe të anti-paqes në Ballkan.

Kosova, sot në njëvjetorin e vënies së taksës 100 për qind ka fituar shumë! Ka fituar prodhuesi, blerësi ynë dhe ka fituar flamuri ynë!

Qeveria e re, kushdo që e drejton atë, e ka të tejkaluar presionin taksë, sepse atë për një vit e kemi bartur ne, duke i thënë jo, çdo skenari të dëmshëm për dobësim. Efekti “taksë” ka dhënë frytet e saja edhe në forcimin politik të vendit, siç ka dhënë efekt përplasja dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i ndarjes së Kosovës.

Këtë fakt, duhet ta shfrytëzojmë të gjithë, në mbrojtje të Kosovës dhe jo interesave të argatëve dhe shpirtrave të shitur!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti,…