Haradinaj: Qeveria Kurti ka dështuar në temat madhore
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria Kurti ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin.
Sipas Haradinajt, kjo qeveri ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan, nuk ka implementuar Ligjin e Pagave e ka bllokuar investimet publike.
Këtë deklaratë Haradinaj e ka dhënë nga Suhareka, në takimin përmbyllës për këtë vit me Këshillin e Përgjithshëm të AAK-së, ku prezent ishin edhe aktivistë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe të bizneseve të Suharekës.
“Qeverisja e Suharekës dhe komunat e tjera me të cilat udhëheq AAK, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit nga niveli qendror, edhe këtë vit janë komunat më të suksesshme në nivel vendi dhe shembull i qeverisjes së mirë. Fatkeqësisht, Qeveria jonë ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme. Ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan, nuk ka implementuar Ligjin e Pagave e ka bllokuar investimet publike”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se në aspektin e sigurisë, qeveria Kurti ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke i bërë dëm të madh vendit.
“Por, Aleanca do e ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për stabilitet energjetik, për ruajtjen dhe forcimin e partneritetit me aleatët tanë, si dhe për zhvillimin e Komunave të Kosovës. Duke iu falënderuar për sukseset e përbashkëta që i kemi arritur gjatë këtij viti, uroj që bashkë t’i gëzojmë sukseset në 2023”, ka pohuar Haradinaj.