Haradinaj: Qeveria me seriozitet është fokusuar në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në përmbylljen e fushatës humanitare “Dardani je vesh me Diell” në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), misioni i të cilës në formën e Fondacionit është të ndihmojë fëmijët në nevojë, duke përfshirë jo vetëm kategorinë e fëmijëve të sëmurë, me qëllim përmirësimin e kushteve në mjedisin social ku ata jetojnë, kurohen dhe trajtohen.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar të gjithë ata që janë marrë me këtë fushatë, duke thënë se është një aksion i mirë humanitar, i cili ka mundësuar që pajisje të nevojshme dhe të duhura t’i dorëzohen Klinikës së Pediatrisë.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që qasja ndaj pacientëve, fëmijëve, ndaj atyre që kemi përgjegjësi do të jetë profesionale. Ne e çmojmë dhe e mirëpresim këtë veprim tuajin”, ka deklaruar Haradinaj, duke njoftuar po ashtu se Qeveria ka rritur buxhetin për shëndetësi për ofro 80 milionë euro që është e jashtëzakonshme dhe që nuk ka ndodhur në të kaluarën.
Po ashtu kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria është e fokusuar seriozisht në përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë.
“Më vjen mirë që Klinika që sot i gëzon këto pajisje na nxitë neve në rrugën dhe përpjekjet tona më tutje, për t’i ofruar shërbime shëndetësore pacientëve dhe për t’i siguruar të gjithë qytetarët e vendit tonë se të gjitha shërbimet shëndetësore do t’i marrin në vendin e tyre”, ka theksuar Haradinaj.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se kjo iniciativë jep më shumë kurajo edhe atyre që jenë të veshur me petkun institucional.
“Ky është një projekt që ka peshë reale, është aparaturë, që u nevojitet profesionistëve tanë shëndetësorë, që të bëjnë një diagnostifikim më të mirë”, është shprehur Ismaili, duke thënë se ky donacion ngrit shërbimin shëndetësor në Kosovë.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka thënë se ky aktivitet është i qëlluar, duke llogaritur se është një ndihmesë mjaftë e madhe për një kategori, siç janë fëmijët.
Po ashtu drejtori Sejdiu ka thënë se edhe ata të cilët kanë kontribuar në këtë donacion, duke përmirësuar shëndetin e fëmijëve tanë, u janë shumë mirënjohës, por gjithashtu edhe Qeverisë, që ka si prioritet shëndetësinë.
Ambasadorja e fushatës humanitare “Dardani je vesh me diell”, Anita Haradinaj, ka theksuar se e gëzon fakti që kjo fushatë është përmbyllur me sukses, duke falënderuar të gjithë ta që i kanë dhënë mbështetje kësaj fushate.
“Ndryshimet nisen nga vetja. Secili mund të bëjë diçka të mirë dhe të veçantë, mjafton vullneti dhe dëshira, atëherë çdo gjë do të ketë sukses”, ka thënë Haradinaj.
Në përmbyllje të kësaj fushate, kryeministri Haradinaj ka vizituar fëmijët e shtrirë në këtë repart si dhe ka parë nga afër aparaturat e dhuruara nga ky fondacion.
Si rezultat i kësaj fushate sensibilizuese janë blerë shumë aparatura të rëndësishme që ndihmojnë në trajtimin e fëmijëve të sëmurë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe zyrtarë të shumtë shëndetësorë, si dhe futbollisti shqiptar Lorik Cana.
Fushata “Dardani je vesh me Diell” nisi në Kosovë në fundit të vitit 2017 që rezultoi me ngritjen e fondit prej 60 mijë euro./Epoka e re/