Haradinaj: Qeveria nuk i ikë obligimeve ndaj punëtorëve shëndetësorë
Është mbajtur sot takimi mobilizues për gjendjen në shëndetësinë e vendit, takim ky i iniciuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në bashkëveprim me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore.
Gjetja e formave më të mira të financimit, avancimi i ligjeve aty ku është e nevojshme, si dhe menaxhimi më efikas në të gjithë sektorin shëndetësor ishin pikënisja e këtij mobilizimi.
Kryeministri Haradinaj tha se nuk është në interes të Qeverisë ikja nga obligimet që ka ndaj punonjësve shëndetësorë, qoftë për paga të dinjitetshme për mjekët dhe të gjithë sektorët, qoftë në buxhet, apo në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme.
“Jemi të interesuar për rolin tonë në sektorin e shëndetësisë, cila është pjesa jonë, cilat janë detyrat tona dhe si mund të jemi në funksion të përmirësimit të gjendjes në shëndetësi”, tha kryeministri, duke i vlerësuar mjekët dhe personelin shëndetësor heronj të Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmendi zotimet për shtimin e investimeve në infrastrukturë, shtim të resurseve dhe pagave si dhe sistemin e ri të blerjes së barnave.
U.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, tregoi hapat konkret që janë ndërmarrë për ofrimin e shërbimeve 24 orë në disa sektorë, përfshirë edhe Institutin Onkologjik, zvogëlimin e listës së pritjeve për barna, koordinimin e spitaleve regjionale, programet për trajnimin e stafit të infermierisë dhe mjekëve.
Në këtë takim që ishte i pari i kësaj nisme mobilizuese u përmend nevoja për hartimin e një rregulloreje që do të rregullonte mënyrën e trajtimit të pacientëve në disa nga spitalet rajonale e disa në QKUK, koordinimi i shërbimeve emergjente në nivel vendi, kategorizimi i pagave dhe nevoja e një menaxhimi më të mirë të buxhetit shëndetësorë.