Haradinaj, qeverisë: Ashtu siç i gjetët milionat për rrymën në veri, gjeni edhe për mjekë, policë dhe pensionistë
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka shumë kohë që kjo qeveri është në pushtet dhe se po mundohen të dalin nga situata me lojë fjalësh ose me retorikë manipulative, duke mos hyrë në substancë.
Ai ka thënë se është e vërtetë se shtesat për pensionistët kanë qenë tremujore, por sipas tij qeveria nuk mund të ikë nga e vërteta me metoda manipulative.
“Liburn Aliu është duke e vjedhur Kosovën në mënyrën më të keqe të mundshme. Ai ka ndal një tender 40 milionësh për tre vite dhe ka shpall një tender 20 milionësh për një vit dhe del e i thotë Kosovës po ua shpëtojë paratë. Jo, jeni duke i vjedhur paratë zotni”.
“Kur keni ardhur ju nuk keni pasur guxim me ua bërë shtesat pensionistëve. Ua keni largu 30 euro dhe ua keni shtuar 10 euro. Keni menduar se e menaxhoni gjendjen duke ua larguar shtesat mjekëve, policëve. Nuk jeni kërkund duke punuar për Ligjin e pagave, një ligj që i rregullon këto tema dhe çfarë është më e keqja nuk keni fare koncept ekonomik”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti e ka ngulfatur sektorin ekonomik, duke shtuar se ky sektor është në “gjendje lufte” shkaku i kësaj qeverie.
“Ju lutem se buxhet keni! Si u gjetën paratë për të paguar energjinë në veri, 11 milionë euro? Gjeni para edhe për mjekë, policë dhe pensionistë”, ka thënë Haradinaj.