Haradinaj: Qeverisja jonë do të jetë partnere me bizneset, duke hapur rrugën për rritje ekonomike deri në 7%
Kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj, qeverisja e tij do të jetë partnere me bizneset, duke hapur rrugën për rritje ekonomike deri në 7%.
Ai ka thënë se fuqia investive e kapitalit privat, do të shkojë deri në dyfishin e investimeve qeveritare.
“Gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës investimet kapitale do të arrijnë në 25 miliardë, prej të cilave 16 miliardë investime private. Qeverisja jonë do të jetë partnere me bizneset, duke hapur rrugën për rritje ekonomike deri në 7%. Ne synojmë të qeverisim me politika buxhetore në funksion të zhvillimit ekonomik; politika fiskale që përkrahin bizneset; dhe politika tregtare që nxisin prodhimin dhe eksportin. Do të ofrojmë infrastrukturë të plotë dhe moderne në mbështetje të bizneseve dhe lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, ku përfshihet furnizimi me energji elektrike e ujë pa ndërprerje, rrugë e hekurudha moderne”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë funksion, planifikojnë zonat ekonomike biznesore në mbarë vendin si dhe Planin Hapësinor final, në funksion të zhvillimit ekonomik.
“Totali i të hyrave buxhetore, ku përfshihet edhe rritja e borxhit publik, gjatë mandatit qeveritar do të arrijë në 22.5 miliardë euro. Buxheti katërvjeçar, do të shpenzohet për investime kapitale 9 miliardë, paga për punonjësit publik 4.8 miliardë, transfere sociale 4.6 miliardë, subvencione 2.3 miliardë dhe mallra e shërbime 1.8 miliardë. Në investimet kapitale, buxheti do të shpenzohet ne funksion të rritjes së hovshme ekonomike dhe rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve. 3 miliardë për infrastrukturën rrugore, 1.5 miliardë për arsim e shëndetësi, 1.5 miliardë për modernizimin e rrjetit të ujit të pijes dhe trajtimit të ujërave të zeza, 1 miliard për 8 liqene akumuluese, 1 miliard për modernizimin e hekurudhave, 600 milionë për sport e kulturë dhe 200 milionë për zgjerimin e kapaciteteve të transportit ajror”, është shprehur Haradinaj.
Lideri i AAK-së ka thënë se në projektet e mëdha me partneritet publiko-privat përfshihen: Termocentrali me gaz në Ferizaj, projekte të energjisë së ripërtëritshme, qendrat e turizmit malor, Trepça dhe resurset minerare si dhe Qendra për Inovacion dhe Teknologji.
“Mbështesë shtesë e qeverisë do të jenë: Ligji për Investime Strategjike, ndryshimi i ligjeve për parqet nacionale, ndryshimi i ligjit për sponsorizim, hartimi i skemave mbështetëse për bizneset e reja, bizneset eksportuese e prodhuese dhe zhvillimin rural. Gjithashtu ne kemi paraparë: lirimin nga tatimi në fitim për 5 vjet për bizneset që investojnë në Kosovë; mbulimi i 50 % të pagës për 6 muaj për bizneset që punësojnë gra; dhe rishikimi i plotë i kornizës ligjore të sistemit të lejeve dhe licencave. Me Kosovën Fituese 137, fitojnë të gjithë!”, ka thënë Haradinaj.