Haradinaj: Rahoveci do ta ketë përkrahjen e Qeverisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të premten komunën e Rahovecit.
Gjatë takimit me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, kryeministri Haradinaj, ka theksuar se Qeveria të cilën e drejton është e përkushtuar t’u përgjigjet pritjeve që kanë qytetarët e Rahovecit.
Në këtë takim është biseduar edhe për gjendjen në shëndetësi, për përfundimin e punimeve për ndërtimin e palestrës së sportit dhe për nevojën e angazhimit të shtuar të të gjithë akterëve që testi PISA të dal sa më i suksesshëm.
“Rahoveci është vend i punës, i bujqësisë, vend i fermerëve, andaj do ta ketë përkrahjen e Qeverisë”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërsa kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj mbështetje për përshpejtimin e nisjes së projekteve për Rahovecin dhe ndihmën në përballjen me obligimet e qeverisjeve të kaluara që kapin miliona euro.
Pas pritjes nga kryetari Latifi, kryeministri Haradinaj ka takuar edhe asamblistët dhe qytetarët e kësaj komune, të cilëve u ka ofruar mbështetjen e Qeverisë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve që ka komuna e Rahovecit.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj bashkë me kryetarin Latifi kanë vizituar edhe “Bodrumin e Vjetër” që funksionin në kuadër të ndërmarrjes “Haxhijaha”, në Rahovec.