
Haradinaj: Reagimi i BE-së për ‘Trepçën’ cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se reagimi i Bashkimit Evropian kundër miratimit të statutit të “Trepçës” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr.
Ai ka thënë se deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, dhënë medieve serbe se “Trepça” duhet të jetë pjesë e dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.
“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, dhënë medieve serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/