Haradinaj reagon ndaj sulmeve të VV-së për mediat: S’keni të drejtë të pengoni gazetarët në punën e tyre!
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmeve që VV’ja po i bën ndaj mediave, në fushatën e tyre zgjedhore, raporton GazetaBlic.
Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook” thekson se: “askush s’ka të drejtë të linçojë, të pengojë, të akuzojë, apo edhe të ushtrojë presion ndaj gazetarëve në punën e tyre”.
Tutje, Haradinaj thotë se edhe gjatë kohës kur vetë ka qenë kryeministër është përballur me pyetje të forta, hulumtime e materiale tjera, por sipas tij, liria për median ka rëndësi për vendin.
E plotë:
Të nderuara media,
Me shqetësim po i shoh sulmet ndaj jush në tubimet zgjedhore, sidomos të Vetëvendosjes.
Ushtrimi i profesionit tuaj duhet të jetë i lirë dhe, natyrisht, ju i caktoni politikat dhe rregullat sipas standardeve profesionale.
Askush s’ka të drejtë të linçojë, të pengojë, të akuzojë, apo edhe të ushtrojë presion ndaj gazetarëve në punën e tyre.
Si Kryeministër jam munduar gjithmonë të jem transparent dhe i përgjegjshëm në punën time.
Natyrisht, jam përballur shpeshherë edhe me pyetje të forta, hulumtime e materiale tjera, por thellësisht kam qenë dhe jam i bindur se liria për median ka rëndësi për vendin.
Kosova është vend i lirë dhe me liri të shprehjes.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe nuk kemi nevojë për diktator që na tregon cila është e drejta.
Unë besoj në punën tuaj profesionale.
Dhe, pa dyshim, opinioni duhet ta gjykojë i lirë punën tuaj.
Punë të mbarë!