Haradinaj reagon pasi Specialja dënoi Nasimin dhe Hysniun: Qëndroni të fortë
Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Gjykata Speciale i ka dënuar Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.
Haradinaj u ka bërë thirrje atyre që të qëndrojnë të fortë, duke thënë se lufta për liri e shtet ende është duke vazhduar.
“Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, ka ndarë disa histori për Nasim Haradinajn.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Do i them pak fjalë për Nasimin.
Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit.
Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë.
Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet.
Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla.
Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!