Haradinaj: Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fushë Kosovë – Hani i Elezit, ngjarje e re
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore të segmentit Fushë Kosovë – Hani i Elezit, organizuar nga Zyra e BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në bashkëpunim me “Infrakos”-in.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj fillimisht ka thënë se në këtë ditë, pra më 2 korrik, dikur të zgjedhurit tanë në Kaçanik, u angazhuan, punuan për fatin tonë politikë dhe ekonomik, dhe, po sot, janë mbledhur së bashku për të shënuar një ngjarje të re, që ka disa dimensione të rëndësishme.
Haradinaj ka thënë se parakusht për zhvillim të një vendi, është një plan i mirëfilltë i zhvillimit ekonomik dhe si parakushte për atë zhvillim përmendi resurset njerëzore, si, aftësimi i njerëzve, sidomos në arsimin dual, pastaj infrastruktura, e cila është në përparim e sipër, mirëpo që ngecet me atë hekurudhore.
“Ka qenë e domosdoshme të fillohet me rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore deri në Han të Elezit, por është shumë me rëndësi të vazhdohet me intensitet të njëjtë që të përmbyllet infrastruktura hekurudhore”, është shprehur Haradinaj, duke falënderuar taksapaguesit e BE-së për donacionin dhe partnerët financiarë për kredinë e dhënë.
Kryeministri Haradinaj ka përmendur disa aspekte tjera infrastrukturore që sfidojnë, si ajo energjetike, ujore, ku e para është e vjetruar edhe në prodhim edhe në distribucion, prandaj sipas tij duhet me kujdes të ecet drejt konsolidimit të një infrastrukture energjetike dhe, në atë ujore.
Kryeministri ka theksuar se ka vështirësi në trajtimin e ujërave të zeza, por Kosovës i mungon edhe infrastruktura e gazit natyror, që Kosova, është ndër tregjet e radha, që nuk ka fare gaz natyror.
“Kosovës i duhet të krijojë rezerva të ujit dhe rasti i Gjilanit flet se si mund të arrihet te krizat. Prandaj duhet marrë veprime paraprake që të krijohen ujëmbledhës”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se ndihet mirë që sot po niset rikthimi i linjës hekurudhore në drejtim të Hanit të Elezit.
Kryeministri Haradinaj ka shprehur gjithashtu edhe nevojën për një linjë hekurudhore me Shqipërinë dhe Malin e Zi, meqë me Serbinë dhe Maqedoninë tashmë ekziston.
“Është jashtëzakonisht interes i gjithë BE-së dhe qytetarëve të saj që të ketë një linjë hekurudhore Kosovë-Durrës dhe në Portin e Durrësit të ketë edhe një dalje hekurudhore në det, jo vetëm për ekonominë tonë, por edhe ekonomitë tjera, që lidhen në drejtimin tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, ka thënë se fillimi i këtij projekti, është një nga ditët e tij më të veçanta si ministër dhe ka shprehur falënderim ndaj partnerëve, por edhe ndaj Qeverisë së Kosovës për përkushtimin e investimeve në infrastrukturë.
Agron Thaçi, kryeshef i “Infrakos”-it, ka thënë se projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e linjës 10-të hekurudhore paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore me mbështetjen më të madhe deri më tash që Kosova ka përfituar nga korniza për investime në Ballkanin Perëndimor, e Bashkimit Evropian dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Ai ka thënë se me këtë projekt parashihet të bëhet rehabilitimi dhe modernizimi i linjës 10-të hekurudhore nga Hani i Elezit në Leshak, me gjatësi prej 150 kilometra, që njëkohësisht është linja kryesore ndërkombëtare që lidh Kosovën me rajonin dhe Evropën.