Haradinaj: Sali Çekaj ishte luftëtar e atdhetar shumëdimensional
19 prill 2021
| 11:39
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj me rastin e 22-vjetorit të rënies së tij.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Sali Çekaj ishte luftëtar e atdhetar shumëdimensional.
“Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht njëzetedy vite më parë, së bashku me bashkëluftëtarët e tij Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin”.
“Salihu kaloi shumë sfida jetësore, me nder, dinjitet dhe me dijen e një intelektuali. Siç jetoi, ashtu edhe ra, për lirinë e Atdheut, për të mbetur i gjallë në kujtesën e popullit dhe historisë shqiptare”, ka shkruar Haradinaj.